Kirurgji Kardiovaskulare

Urëzimi ose bajpasi Aorto-Koronar

Urëzimi aortokoronar ose bajpasi, siç janë mësuar pacientët ta dëgjojnë është operacioni (ndërhyrje kirurgjike) nëpërmjet të cilit bëhet revaskularizimi kirurgjik i miokardit (muskulit të zemrës). Operacioni i këtillë bëhet duke hapur kafazin e krahërorit, respektivisht në zemër të hapur.

Kjo ndërhyrje kirurgjike realizohet te sëmundjet iskemike të zemrës (në ato raste kur muskuli i zemrës nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak, përkatësisht me oksigjen) dhe qëllimi i saj është të krijohen enë alternative të gjakut (urëzimet), me qëllim dërgimi të gjakut në ato segmente të muskulit të zemrës ku qarkullimi i gjakut është ndërprerë ose i vështirësuar.

Metoda e revaskularizimit kirurgjik të miokardit nuk është e njetë me atë të vendosjes së stentave në kardiologji invasive.

Për realizimin e këtij operacioni zakonisht shfrytëzohet një makinë që luan rolin e zemrës dhe mushkërive artificiale gjatë operacionit, meqë është e nevojshme të bëhet ndalja e funksionit të zemrës, funksion që do të kthehet sërish pas përfundimit të urëzimeve, respektivisht bajpaseve.

Urëzimet aorto-koronare bëhen duke shfrytëzuar venën që nxirret nga këmba dhe arteriet që nxirren nga faqja e brendshme e kafazit të krahërorit ose nga dora. Duke shfrytëzuar këto enë gjaku krijohen lidhjet (anastomoza, urëzime) ndërmjet aortës (enës më të madhe të gjakut që del nga zemra) dhe arterieve që e furnizojnë muskulin e zemrës me gjak.

Pacientët të cilët mund të kenë pasur infarkt të zemrës dhe tek të cilët janë diagnostikuar me anë të koronarografisë dëmtime të arterieve koronare, mund t’i nënshtrohen operacioneve të revaskularizimit kirurgjik me shumë sukses.

Rezultatet afatgjata të një metode të këtillë janë të qëndrueshme, me kusht që përgatitja e pacientit dhe puna në sallë të operacionit duke përfshirë edhe kujdesin operator të jetë bërë në mënyrë korrekte.

Sigurisht se kirurgët, të cilët bëjnë operacione të këtilla duhet të kenë përvojë të madhe. Gjithashtu edhe stafi ndihmës duhet të jetë i trajnuar për punë në një fushë mjaft të vështirë dhe të ndjeshme siç është kardiokirurgjia.

Doktorë

Asc. Prof. Dr. Gökçe Şirin

Kirurg Kardiovaskular